|
Xhenova armike e çadrave
shiu dhe era
brinjë të një trikëndëshi të pagjasë
Xhenova bimë mishngrënëse
me shkallaret-grykë
llufitëse e mëmave me harxhet në çantë
Xhenova e jashtëqitjeve të detit
Kemi njelmësi gjer dhe në zemër
Kemi të përpjeta, lukurama
edhe nëpër rrugët e ëndrrave tona
Xhenova samba dallgësh
me detin mbajtur larg
me mëngët e digës
apo rrufisur prej manjetit shkëmbor
Xhenova me lavjerrës në kuzhinë
që tregojnë orë të bruzta
brigjeve të gjera
Xhenova zukatje mizash
që i shmangen grushtit mbi sofrabez
teksa kërkojnë verë dhe thërrime të lodhura
Xhenova saudade & spleen...
Nga dritarja ime e kripur
mes një pike dhe pikash loti
vështroj kështjellat
që askush s’i njeh e s’i shkel më.
|