Iliriana Sulkuqi - Jetëshkrim
Iliriana Kadri Sulkuqi (Fejzullai) u lind lind në qytetin e Elbasanit në vitin 1951. Mbasi mbaroi gjimnazin “Dhaskal Todri” në qytetin e lindjes (1969), vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake të Forcave Tokësore në Tiranë. Është diplomuar në vitin 1971.
1971-1995: Oficere , në Akademinë Ushtarake, gazetare në shtypin ushtarak dhe në Shtëpinë Botuese të Ushtrisë. Gjatë kësaj periudhe ka mbaruar studimet për gjuhë-letërsi dhe filozofi. Së fundi ka punuar si gazetare në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë… Nga viti 2004 deri sot jeton në SHBA, New York.
KRIJIMTARIA
Botimet e para – rreth viteve ‘6o. Është vlerësuar disa herë me çmime të para Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë si : italisht, greqisht, maqedonisht, bullgarisht, arumanisht, anglisht.
Renditet në disa antologji si brenda dhe jashtë vendit, si dhe në Enciklopedinë Shqiptare të Gazetarëve, në “Leksikoni i shkrimtarëve Shqiptarë 1501-2001, me autor Hasan Hasani( Shtëpia Botuese Faik Konica, Prishtinë, 2003).
Është anëtare Nderi e Organizatës Shqiptare Amerikane: ”Motrat Qiriazi”,( 15 janar 2006).
Eshtë antare e Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve.( 5 janar 2006).
Është Anëtare Nderi e Shoqatës së Ushtarakëve në rezervë-Dega Athinë (13.04.2008)
Është anëtare e Klubit të Shkrimtarëve “Drita” dhe Kryeredaktore e Revistës Letrare Artistike “Pelegrin”.
Libra të botuar:
-“Më kërkojnë sytë e nënës”(1974)
- Ç’u fala stinëve që ikën?”(1988)
-“Të jesh grua”(1990)
-“Do të jetoj”( Rozafa-1996)
-“Trokit dhe zgjo”( “Egnatia”- 2000)
-“Kush ma vrau OFELINË” – italisht-shqip( Toena-2000)
-“Për një mollë që hëngri Eva…”( Prishtinë- gusht 2002)
-“(F) Shihemi në sy”(janar –shkurt 2002)
-“Pulëbardhë në det’ të zi”( “Ilar”-maj 2002
-“Lirika” (Medaur-2003)
-“Hajku”- bashkëautorë(“Egnatia”-2004)
-“…Më kërkon falje” (Arbëria-2004)
- “ Poezi” (dy libra në Një) (botimet “Snaj”-2007)
-Çmimet:
-Çmimi i tretë për vëllimin poetik ”Ç’u fala stinëve që ikën”, (1988), në konkursin me rastin e 45 vjetorit të Krijimit të Ushtrisë Popullore, organizuar nga Ministria e mbrojtjes dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë
-Çmimi i parë ( në poezi), në konkursin e shpallur me rastin e 45 vjetorit të revistës “Shqiptarja e Re”.(15.8.1988)
-Çmimi i tretë për vëllimin poetik dygjuhesh shqip-italisht “ Ma vranë Ofelinë!....Oiii...Oiii....! “, dhënë nga Ministria e Arsimit , Kulturës dhe e Sporteve si dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe e artistëve të Shqipërisë në Ditët e Poezisë Shqipe”Lulet e Verës”, maj 2001
-Çmimi i parë- për poezinë më të bukur për Dashurinë, në Ditët poetike ballkanike 2.06. 2002- Korçë.
-Çmim të veçantë në takimin ballkanik “Ditët e Asdrenit”-Shkup(2005)
-Çmimi i parë - për poezinë më të mirë në takimin poetik”Pëllumbat e Bashtovës”, akorduar nga Dega e Lidhjes se shkrimtarëve, Durrës, 4 tetor 2005.
-Çmimi “Migjeni” (2007) revista “Kuvendi”- Miçigan-SHBA
-Çmimi “Ali Asllani”-liriku më i mirë i vitit (maj 2008), akorduar nga Ambasada Shqiptare në Athinë dhe Klubi i shkrimtarëve shqiptarë të kundondodhur në botë “Drita”, për vëllimin poetik “Poezi”)
Po plas!...
Po plas, po plas,
përse nuk shpika
rrota gjigante sa Dashuria...
Si një bujkrobe do e tërhiqja
gjithë Amerikën tek Vendlindja...
Po plas, plas që askund s'jam-
as ku kam lindur,
as ku do vdes...
Që s'bëra dot një varg të malltë
dhe pse me rrokjen fjeta jashtë.
Po plas, po plas,
kujt t'i rrëfehem
që m'troket ikja n’ rrëz' të veshit,
as bardh, as zi s’më mbeti vargu,
një oqean m’ ndau nga Deti...
Po plas...po plas…
Që dhe një dorë-
shtatë breza nerv,
shtatë malle varg,
një firmë s’e hedh as për shkronjë,
një firmë s’e hedh as për një varr…
Po plas….Po plas
si në legjendë:
« ...Plasnë si poçe me verë... »
4 korrik, 2oo8 Brooklyn
Më gjeni një titull…
pa fjalën zjarr
pa fjalën akull,
pa fjalën vdekje,
pa uri pa čtje…
pa zë të mekur…
pa pikën e lotit,
pa emrin e Zotit,
pa emrin tim
pa emrin tuaj…
pa ngjyra muzgu
pa plor prej hëne
pa diell të djegur
pa mllef, pa hakmarrje,
pa fjalë përralle
pa ëndrra prej nate
pa dallgë e stuhi
pa puthje prej vlage
pa valëza, pa breg
pa mbërritje, pa shteg…
Më gjeni një titull
pa emër shpendi
pa emër ylli
pa emër mali
pa emër ishulli
as oqeani…
pa rrahja zemre,
pa ankthe malli…
pa vjeshtë të artë
pa dimër, pa ngricë
pa stinë të pjalmtë
pa verë t’lakuriqtë…
Më gjeni një titull
pa pentagram,
ku notat lozin
me shpirtrat tanë!
Shtator, 2007
Mështekna
Buzët
më humbën mes buzëve…
gishtërinjtë
mbi tastierat e brinjëve…
trupi
si një grusht i mbledhur…
Mështekën,
më thuaj, moj
si e ruan kaq vjet virgjërinë?
Të vij sonte, apo? …
Të vij sonte,
apo nesër,
a pasnesër, duke gdhirë...
a me Hënën, në të mehur,
a me Diell n’perëndim?...
Të vij sonte,
në të ngrysur,
me qirinj në Galaktikë,
a me Yllin e Mëngjesit
që i bëhem Zgjim me zgjim?
Të vij sonte
apo sonte,
dhe me Hënë, dhe me Diell,
dhe me yjet në një shportë
dhe me zemrën sa një qiell?...
Të vij nesër
a nxitimthi,
me një shkronjë që më flet shqip,
dhe me Zotin që më lindi
dhe me zë - prelud- në shpirt?...
Të vij sonte
apo nesër,
a me ëndrrat që s’u prekën,
a me fjalët që s’u folën,
a pas - kurrë, në këtë shekull?
Të vij sonte,
apo sonte?
a, pas vetes së përdjegur?...
Mos ma fshij lotin !
Mos m’i shih këmbët
kanë veshur këpucë të arnuara,
si jeta ime,
si një dashuri e harruar…
Mos ma fshij lotin,
lëre të rrjedhë
në lumin e rrudhur,
ku lahet një hënë
e joshur nga yjet…
Mos ma zgjo ëndrrën,
Dua të më dhembë!…
Letra e fundit
për Anna Ahmatovën
E dashur Anna,
nuk e di, nëse të kanë ardhur letrat e mia,
ku me pak vargje të shkruaja
për botën e ëndrrës …
Nuk kam asnjë lajm prej teje
edhe pse më premtove
që do të më shkruaje
nga jeta e përtejme…
Mesa duket je e kënaqur
në atë botë, ku marrin fund vuajtjet
dhe shuhen dashuritë…
Më thuaj motër,
të vijnë më lot tek sytë?! |