Onur Caymaz, një nga emrat e shquar të brezit më të ri të shkrimtarëve turq, ka lindur në Stamboll në vitin 1977. Është diplomuar për Shkenca Elektronike në Universitetin e Marmarasë dhe aktualisht punon si redaktor në një agjenci ndërkombëtare reklamash. Veprat e tij janë publikuar në Adam Sanat, Adam Öykü, Poetikus, Uç, E, Öteki-Siz, Kavram Karmaşa, Varlık, Edebiyat ve Eleştiri, Öküz, Virgül, Radikal Kitap, Cumhuriyet Kitap, Eşik Cini.
Në vitin 2000 përmbledhja e parë poetike “Kah ve Rengi” u shpërblye me çmimin Orhon Murat Arıburnu. Më pas ai vijoi të shkruante në poezi dhe prozë. Antologjia e tij poetike “Bak Hâlâ Çok Güzelsin”, (Pa shih, ti je ende e bukur” ) e pa dritën e botimit në vitin 2004.
Shkrimet e Caymaz i përshkon një ndjeshmëri delikate dhe e brishtë. Tregimet e tij dallojnë nga ato të bashkëmoshatarëve. Fëmijëria, dashuria dhe dhimbja e vetmisë janë disa nga temat e narrativës së Caymaz. Edhe kur shkruan prozë ai shkruan në një gjuhë fluide, gati-gati poetike. Kur një autor i referohet të shkuarës në një mënyrë të tillë siç bën Onur Caymaz, atëherë gjendja e melankolisë që krijon është e pashmangshme. Tregimet e tij trajtojnë humbjen e dashurisë që në filiz, ndarjen dhe një rini të dëshpëruar. Stili i tij letrar i bën jehonë stilit të viteve `60. Rrëfenjat e tij ngrihen mbi humbjen e kohës apo të një marrëdhënieje. Të gjitha këto tipare i ndeshim në librat e tij me tregime të shkurtra: Ezilmiş Leylaklar Kitabı / Libri i Jargavanëve të Këputur (2003), Sanki Yarın Nisan / Sikur Nesër të Ishte Prill (2005) and Kalbin ve Tenin Bütün İstekleri / Gjithë dëshirat e Zemrës dhe Trupit (2008), si dhe në romanin, Seni Hatırlatan Yıldızlar / Yjet që më Kujtojnë Ty(2004).
Këto tregime rrëfejnë për rimëkëmbjen e personazheve që jetojnë në qytete të mëdha në përballjen me vlerat moderne dhe kushtet e vështira. Personazhet e tij janë të rinj që mbeten të pastër e të panjollë pavarësisht nga ndyrësia e botës, e që mbeten të copëzuar mes dashurive, në përvojën e detyruar nga identiteti i tyre politik. Libri i fundit me poezi është publikuar në Shkurt të vitit 2009.
Çmime letrare:
1999 Çmimi “Gençlik” për Tregimin (Hayalperistanbul)
2000 Çmimi “Orhon Murat Arıburnu” për Poezinë (Kah ve Rengi)
2002 Çmimi “Haldun Taner” për Tregimin (Nokta / Dot)
2005 Çmimi “Behçet Aysan” për poezinë (Bak Hâlâ Çok Güzelsin / Shih, Je Ende e Bukur)
2006 Çmimi “Naim Tirali” (Sanki Yarın Nisan / Sikur Nesër të ishte Prill)
motër dhimbjeje
motra ime - qiell i vrenjtur
me luledele ndër flokë
letra që pa bujë i vijnë
pulovër të thurur, filxhanin tumbllas me çaj
fëmijëria ime - dordolec
ngulur në kopshtin e zhuritur të dashurive të humbura
friguar mos mbetet gjithherë aty
motra ime, më zë për dore
dhe shkon në kinema të shtunën
aty ku vështrimin me ushtarët kryqëzon
mëngjeseve dimrit, si acari i qelqtë
si të dehurit,
i vetëm në shtëpi kur kthehem
e rrekem rrugën e humbur të gjej
ajo në dritare që pret
u rritëm, ja ku i erdh` fundi
kohës që kalonim bashkë
duke pirë duhan fshehtas nga babai
e duke e shkundur hirin në dorën tënde
në pëllëmbën tënde të trëndafiltë
kam një motër, një motër dhimbjeje
pastaj
vizatova një anije për ndarjet
e letra u la me lot
vaj medet ... pastaj
shkrova për ndarjen, si i nemitur
si i vdekur, i pajetë.
përkufizim i qenies së saj me mungesë
vaj medet... pastaj
e nëpërmend, kur s`është
kurdo, në gëzim
në mbrëmje, rrugës së malit, në borë
këngëzuar çdo çast si tingull violine
gjethja e fundit që bie, kujtim i vjeshtës
vaj medet… pa fjalë
Dyzet rreshta kafeneje
mos harro
kujtimet shkëlqimplotë janë më të errëtat
dashuritë në dhoma akull të ftohta janë më të zjarrtat
a të kujtohet
netëve fundi yt bëhej i mëndafshtë
kur i putha, flutura u ngritën nga shpatullat e tua
kujtimi yt
shenjë thike nga një lavire plakë
në një dyqan që shet tyl për bonbone dasmash
të kujtohet
ngjeshur pas murit të dehur të një birrarie
fytyra ime në pëllëmbën tënde si vjeshtë
në të kujtohet
si ngrin në dritaret e autobuzave kur i sheh nga jashtë
t`i putha duart ato ditë lufte
apo nëse kujton
librin me poezi në dorën time,
e deshëm botën, e ajo s`na deshi.
shih, ti je ende e bukur
besomë, ti je
si një lule që lulëzon sërish pas vyshkjes
kur ha thonjtë
pinim çaj në filxhanë asnjëherë të mbushur
ishim zemëruar, s`flisnim për ditë të tëra
netëve pa yje kur dallgët përplasen
mbase je ti fanari majë shkëmbit
besomë, je
nga jetët e zakonshme ti krijove për mua një të shkuar ndryshe
s`më mësove thjesht të buzëqesh
por edhe si t`i qëndroj mjerimit
të ditëve
shihu në pasqyra, do të të rrëfejnë
se je po aq e bukur sa petali që skuqet nga droja
emri yt rri mes emrit tim
i bukur si stinët e panjohura
nga qiejt e mi, avionët rrëzohen në tokat e tua
ti gogësin, dhe zogjtë ngrihen fluturim nga buzët e tua
vitet, copa të hejshme dritaresh të thyera, përplasur
si monedha t`arta në thellësinë e detit
janë poezi të shkruara mbi gurë varresh
shihu në pasqyra, do të të tregojnë...
pas një kohe të gjatë, që ende janë të bukura
ashtu si ti
dikush
kështu, dikush
nga vijëzimet e ftohta të fytyrës së saj, nga shtegu i pjerrët i supeve
shkon në det
gjen një biçikletë të kaltër
harruar në rërën e lagur të bregut
dikush
edhe vejushë dhe virgjëreshë
shallin rreth qafës prej lagjeje të varfër
kështu dikush
kurrë s`ndryshoi, dhe për ty, mbrëmjeve,
mbi lule të thara, letra cigaresh
zogj të shkalafitur, zogj pa krahë
nga pasqyrat, nga drita që ther lavanderinë
del jashtë në rrugë qorre
dikush
edhe i urtë edhe i çartur
plagë thike në ballin e gjerë të rrugës
kështu, dikush
nga një flutur me zë të tëhuajtur
mjekrat e tij, penat e thyera, një mori dënimesh me vdekje
nënshtrati i jastëkut ku ai vë dorën, mardhet teksa fle
frika ngrin, dimri ngrin, atje tutje
del e vdes teksa të gjithë vazhdojnë jetën
dikush
edhe pullë edhe zarf
gadishull lagështie në mur të dhomës
kështu dikush
kurrë si përdori ditët, punën e zemrës
përsa kohë jetoi në netë të gjalla jetë-lira
jastëku i qëndisur, të shkruarit cërritës
si pshehrëtima e një të sëmuri
(dikush) mban mbi vete renë që s`ësht` e tija
i vetëm: çjerrje violine, pupël zogu dhe degë me myshk
i vetëm: dita e larjes së rrobave, e pushimeve, e pranverës vjen
i vetëm: hëna me dritën që përhap, libri me përralla dhe balerina e ndyt`
i çon ushtarët drejt vdekjes në zjarrin e betejës
dhe ti, dhe unë...
pylli i kujtimeve
shkruaj poezi qysh nga kohërat e përrallave
dhe është për ty
ta kesh kujtim
nga një pyll i shkrumbosur
mendoj për sirenat e vrara në cirk
kuajt e karuselit me këmbët e copëtuara
Zotin që u mërzit me qiellin e tij
vetmia ka kuptimin e zisë, gjithmonë
i shkruaj letrat në bojë të gjelbër
kur era fryn në mua e më puth si një selanikas
fle nën hijen e portokalleve
ja, kjo më përvëlon në gji, gjithmonë
kur dikush në Shkup nden rrobat mastiç erëmonjëse
pshehrëtima trokëllin deri këtu një dëshirim të ethshëm
kënga ime del nga shpirti, por askush s`e dëgjon
një lule e pashfaqur fshihet pas shenjës së vaksinës në krahun tim
shkruaj poezi sepse nuk jetova
dhe është për ty
në mundesh digj një pyll
ta kesh kujtim nga unë
Përktheu Albana Kozeli
|