|
Sasha Iliç ka lindur në 1972 në Jagodinë, një qytezë e vogël në Serbinë Qendrore. Ai është diplomuar në Fakultetin Filologjik të Beogradit në degën e Studimeve të Letërsisë Sllavo-Jugore dhe Relative. Ka botuar në vijimësi ese dhe prozë letrare tek revista REČ (Bota) e Beogradit, një revistë letrare dhe kulturore e cila është shquar për kriticizmin e saj të ashpër ndaj regjimit shtypës të Sllobodan Millosheviçit. Në këtë revistë, Sasha Iliç bën dhe debutimin e vet të parë letrar në vitin 1995.
Pas diplomimit në 1998-n, ka punuar në bibliotekën e Departamentit të Letërsisë Sllavo-Jugore të Universitetit të Beogradit. Edhe pse iu ofrua një post si asistent pedagog në këtë departament, ai e refuzoi atë për t’iu përkushtuar letërsisë.
Në këtë kohë Saša Ilić botoi përmbledhjen e parë me tregime titulluar “Predosećanje građanskog rata” (Parandjenja e Luftës Civile). Po në të njëjtin vit ai punon si redaktor i Antologjisë me titull “Pseći vek” (Të jetosh si qen) e cila synonte të paraqiste një anë tjetër të prozës serbe dhe që përmbante punime të shkurtra në prozë nga gjashtë autorë të rinj të pas viteve 70’.
Në pranverën e vitit 2002 Saša Ilić ndoqi studimet verore në Universitetin Martin Luter të Halle-s në Wittebberg. Në shkurt të vitit 2005 ka qenë pjesëmarrës në Collocquium-in Letrar në Berlin (Literarisches Collocquium Berlin). Në vitin 2006 ka prodhuar një dokumentar të shkurtër (mund të shihet në http://postjulit.blog.de) për të promovuar romanin “Berlinsko okno” (Dritarja e Berlinit), roman i botuar nga shtëpia botuese beogradase „Fabrika knjiga“ (Fabrika e librit) dhe që është nominuar nga kritika serbe si kandidat për çmimin NIN si një prej romaneve më të mirë serbë të vitit 2005.
Në qershor te vitit 2006, bashkë me tre kolegë dhe miq të tij Saša Ilić nis botimin e suplementit të përmuajshëm social-kulturor “Beton (Betoni)”, supplement i cili vazhdon të botohet edhe sot brenda së përditshmes serbe Danas (Sot). Suplementi “Beton” (për mëmë shih www.elektrobeton.net) fokusohet tek temat sociale dhe letrare, tema këto ndaj së cilave mbështet kriticizmin e fortë dhe të hapur. Një përzgjedhje e shkrimeve të “Beton” botohet gjithashtu në dy edicione të veçanta të titulluara “Srbija kao sprava” (Serbia si pajisje) (2007) dhe “Antimemorandum-dum” (AntiMemorandum-Dum) (2009).
Dritare berlineze
Kreu 7
Lum kush lajthit! Praf! Në vend të rrakesë dëgjon, për shembull, këngëtaren Maria Kallas. Praf! Njoftimin për heqjen nga puna e merr për letër urimi. Buzëqesh kur ndihmon ndonjë të moshuar. Praf! Mos më pandehni për teveqel. E mos më vështroni ashtu! Jo, mos u afroni! Praf! Përndryshe do të zë e të mendoj, Zoti më ka ruajtur nga kjo gjë, ju jeni ...të veçantë. Ajo që pason s’është veç frymëmarrje! Ama jo për Anën. Ajo është nënë dhe aktore dhe për të, kuptohet, s’ka mëshirë! As për Greberin: ai është i sëmurë, s’kemi c’i bëjmë. Po ju? A vuani nga ndonjë sëmundje? Nga skleroza? Në moshën tuaj? Shëët! Flasim një herë tjetër. Më duket se nisi muzika...
Kafeneja Canshmuk ishte plot e përplot. Mes njerëzve, Ana Dajdiç na vuri re e para. Na kqyri mua dhe Lusijen pastaj na ktheu shpinën. Në një qoshk ndodhej grupi Vojcek. Përpara, me fytyrën flakë të kuqe, rrinte Froshi. Pak i kërrusur e me krahët përpjetë duartrokiste. Djemtë e grupit luanin, ndërsa këngëtarja me një tatuazh në faqen e majtë iu afrua mikrofonit. Hyrja instrumentale s’kish të mbaruar.
Dukej sikur shfaqja e Dorian Greit kish mbaruar dhe aktorët, të shpërndarë nëpër kafene, këmbenin përshtypjet me spektatorët. Lusija më mori për dore dhe me shpuri drejt barit. Adela dhe Dina shkuan drejt grupit që kish rrethuar Anën. Kërkova me sy Drago Janiçin, por menjëherë vërejta se premiera e teatrit Shtabpupen ish dhënë në mungesë të tij. Mora gotën që më zgjati banakieri dhe vështroja Oto Froshin tek tundej në mes të rrethit që sa vinte e shtohej. Po ndiqja lëvizjet e trupit të tij të shpërpjesëtuar. Zëre se ish prej kauçuku, me nyje pa lidhje.
E rrëkëlleva gotën me fund dhe porosita një tjetër. Njerëzit vështronin pa u ngutur ekspozitën nëpër muret e kafenesë. Nëpër tabakë të ndryshëm kishte tekste dhe fotografi: nga njëra anë përgatitjet për Shtabpupenin nga tjetra për Vojcekun. Froshin s’po ma zinte syri, por aty – këtu pantallonat e tij të kuqe vetëtinin nëpër turmë. Teatrin e të Huajve e kishin pëlqyer shumë atë mbrëmje. Midis barit dhe grupeve të muzikantëve veshi të zinte gjuhë të ndryshme. Duke këqyrur ekspozitën pyesja veten në kish qenë kështu gjatë shfaqjes. Ky Dorian Grei berlinez më sillte ndër mend se kur ne ishim nën tokë këtu kish ngjarë diçka e rëndësishme. E pazëvendësueshme. Si atë natë, kur Arifit i merreshin këmbët në urën e lashtë të Visegradit, urave të Evropës u ndërronin fasadat, u përforconin këmbët, ndërsa barkat e vogla turistike mbushur plot kureshtarë kalonin ngadalë nën harqet e tyre. Pesë, dhjetë a njëmbëdhjetë harqe nuk përfaqësonin për ta historinë, por diçka që i ngjante harkut të triumfit, premtimit të madh.
I rashë turmës tej e tej kur u ndesha me një djalosh që mezi çante udhën e rrekej t’u bënte fotografi aktorëve. Sa më pa, vuri buzën në gaz, seç tha dhe shkrepi aparatin. Punonte në gazetën Tak. Ishte nga ata gazetarë që paguhen në bazë të rreshtave. Donte të shkruante mbi Teatrin e të Huajve të Froshit. Ideja i dukej interesante, por nuk ishte fort i qartë: ç’e dallonte këtë trupë teatrore nga trupat e tjera? Quhej Ulan Bortzi dhe ish me origjinë mongole. Miqtë e tij berlinezë e thërrisnin Uli. Studionte në universitetin Frai. Kur buzëqeshte sytë i zgjateshin si bajame. Një ditë do të përfundonte tezën mbi shkarjen e Lindjes drejt Perëndimit. Përse Froshi kish zgjedhur të përshtaste historinë e Oskar Uajldit? Sipas mendimit të Ulit ajo qe një histori kryekëput perëndimore. Apo mos vallë Froshi mendonte se Evropa ruante me emigrantët të njëjtën lidhje si Dorian Grei me portretin e vet. Në qoftë kështu, mendonte Uli duke u bërë gati për foton tjetër, si u dukemi ne atyre vallë?
Sofija, piktorja, po mundohej të ndizte një cigare me çakmakun e bashkëfolëses. Dukej nervoze sepse Ana po bisedonte me një burrë. Pasi thithi me afsh cigaren vuri duart në ijet e dobëta. Ishte shtathedhur, me flokë të gjatë të zinj, kapur me një karficë argjendi. Së largu dukej sikur anohej pak majtas. Në fakt jo: kur me ktheu shpinën dukej se anonte djathtas. Vështirë ta gjeje sa vjeç ishte. Me të vënë buzën në gaz, qepallat i ndereshin dhe gjurmët e moshës humbisnin. E dëgjova të thoshte se nganjëherë u jepte mësim studentëve të arteve të bukura. Me to fitonte bukën e gojës. Dimrit s’kish punë e i duhej të gjente një tjetër mjet mbijetese. Në muajin shkurt i kish buzëqeshur fati. Në prag të festivalit të filmit në Berlin e kishin marrë të pikturonte ne rrugën Kurfyrshten tre arinj me material plastik me lule. Në vend të luleve ajo i kish mbuluar maketet me kopje të mbulesave të tryezës. Ia kishte dale mirë mbanë. E shtyu disi me shpërblimin e marrë. Uli shkroi diçka për punimet e saj. Në fakt ishte një intervistë e shkurtër ku ajo shpjegonte përse ish larguar nga Jugosllavia. “Zgjohesh një mëngjes dhe kupton se do të kish qenë më mirë të mos ishe zgjuar”. Këto qenë fjalët e saj. Kishte provuar të shiste piktura në Beograd, edhe në Novisad. Mirëpo aty pëlqehej tjetër gjë. Sa donte të shihte se si do ta mirëprisnin ata snobët beogradas Dorian Grein e Froshit. Pak regjisorë e kanë trajtuar në atë mënyrë marrëdhënien mes dy burrave, Dorianit dhe lordit Henri. Ana kish qenë e mrekullueshme. Pa të, të jeni të sigurt, pjesa teatrore s’do të kish brumë.
Teatri Shtabpupen do të niset menjëherë për udhë, ia bëri Oto Froshi. Ktheva kryet dhe e pashë tek fshinte ballin me shami si për t’u mbrojtur prej dritës inkandeshente të një ekipi televizioni. Nuk dihet me saktësi se për ku do të niset. Kjo bën pjesë në konceptin e tij mbi teatrin. Është Teatri i të Huajve. Kurrë s’dihet se ku ndalet. Nuk zë vend kurrkund. E çdo herë e rimerr pjesën nga fillimi. Kështu ngjau në Petrograd. Edhe këtu e njëjta gjë. Shtabpupen nuk dëshiron të shfrytëzojë fatin e emigrantëve, ai rreket të mbetet i gjallë. Rregullat janë tejet të përpikta; një aktor luan vetëm në një shfaqje, vetëm në një qytet. Ashtu si në jetë teatri i tij nuk është përsëdytës. S’ka turne, është teatri ai që shkon nga një vend në tjetrin. Shkon në një tjetër qytet, zgjedh një tjetër hapësirë, zhbiron të tjerë aktorë, zgjedh pjesë të re. Aktori nuk ka mundësi të luajë në shumë shfaqje. E pyesin: mos mbetesh pa aktorë të mirë? Ai ngre supet dhe thotë se në Petrograd kish vërtet një ekip të mirë, të shkëlqyer. Vunë në skenë Mbikqyrja e lartë, nga Zheneja, madje marionetat ishin më të mira se te Dorian Grei i kësaj mbrëmjeje. Po punonte me aktorë nga Kirgistani dhe Çeçenia. Disa nga publiku fërshëllyen gjatë pas shfaqjes. Ajo pjesë u ngjalli atyre kujtime të papëlqyera.
Një gazetar që shkruante nën emrin V.R.Duganov bëri pyetjen: nëse rastësisht keni asistuar në përshtatjen për teatër të Mbikqyrjes së lartë të Zhenesë, a keni arritur të kuptoni se ç’kish në mendje regjisori? Një gjë është e sigurt; ajo shfaqje nuk shkaktoi të qeshura, as shpalosi të panjohurën. Oto Froshi thjeshtësoi tej mase një tekst letrar duke shpërdoruar besimin e publikut. Lojë e ngathët e krijesave të Froshit. Asgjë s’mbijetoi, përveç provokimit politik prej shtrese të ulët.
Suzi Farka , solistja e grupit Vojcek, këndon prej 15 vjetësh. Suzi rrjedh nga një familje punëtore që u vendos në Budapest aty nga fundi i viteve ’50. Pas ngjarjeve të vitit 1956 familja u mbart në apartamentin e një të zhdukuri. E ëma këndonte në korin Nep. Suzi, ngaqë përçmonte jetën punëtore dhe ndjenjën e fortë revolucionare, i braktisi herët prindërit. Fillimisht jetoi me një mikeshë shkolle dhe u përpoq të afrohej me rrethet e vogla të lëvizjes kulturore “underground” të Budapestit. E nisi me grupin Meduza pastaj me grupin Dy janë më mirë se tre. Aty nga mesi i viteve ’80 Suzi u njoh me kitaristin Zoltan Kirali, me të cilin ajo këndoi në Budapest, Varshavë, Pragë. Prej vitit 1987 të dy morën emrin Novi Vojcek. Shpejt me ta u bashkua Bruno në perkusion dhe Toni në klarinetë. Në vjeshtë të po atij viti nxorën diskun e pare 30 cm te Bahia Music në Budapest. Gazeta New Musical Express e vlerësoi me këto fjalë: “Vojcek na e hodhi të gjithëve duke sitetizuar në mënyrë moderne melodi të çuditshme e lirika instrumentale ku ndihet edhe ndikimi klasik. Mesa duket një erë e re po fryn nga Budapesti.” Më vonë erdhi një propozim nga shtëpia diskografike angleze ReR, ndërsa tani Pirhana në Berlin u ka hapur dyert. Të paktën kështu shkruan një intervistë në shtyp.
Duke u shfaqur mes turmës, Ana Dajdiç më shtyu lehtë. Mbante ende veshur kostumin e zi të shfaqjes. Mospërfillja ime ndaj kësaj mbrëmjeje kalon çdo kufi – ia bëri Ana. Ktheu kryet e kërkoi me vështrim Lusijen, e cila ish takuar me motrat Hodziç. Tundi kokën. Sjellja ime është.... si të thuash.... e papërgjegjshme. Mendoja se vërtet kisha të drejtë të sillesha kështu? Më e forta është se doja të pengoja Adelën dhe Dinën të shihnin shfaqjen, e cila jepej vetëm njëherë në Berlin: Hej, vetëm njëherë! Atë mbrëmje. Aq i bën për Lusijen e për karakterin e saj të neveritshëm! Sigurisht unë duhej të kthehesha shpejt aty, për të pyetur për njëfarë togeri dhe jo të vij këtu! I nxora si shkak ndalimin në metro, po s’bëra gjë tjetër veçse ia shtova Anës dëshpërimin: E njëjta gjë, arsye të kota gjithnjë. Epo nuk jemi në Beograd! Ja për shkak të këtyre marifeteve ajo jetonte në skamje. Froshi do të lerë pas pak Berlinin, ndërsa ajo do të mbetet e papunë. Përsëri! S’e marr vesh fare këtë gjë. Mos po më bëhet havale ky Balltiku? E pabesueshme.
Zëri i Suzit më sjell ndër mend britmat në një vend të shkretë. Kënga titullohet Këpucët. Një të diele pasdite ajo gjen në trotuar një palë këpucë të vjetruara. Të kujt të jenë vallë, thotë me vete. Kur sheh se njëra ëshë e çarë dhe e shtrembëruar mendon se i zoti i tyre çalonte. Duke gjykuar se ai nuk i kishte hequr e as ndërruar qyshkuri, ajo arrin në përfundimin se ai s’ka pasur as para, as kohë. Mesa duket i largohej dikujt prandaj vendosi të braktiste edhe këpucët. Ashtu siç i ikën hijes tënde – thotë Suzi. Atëherë këto këpucë të mëdha të ndjekin pas nëpër qytet. Ti i braktis kur e di mirë se s’mund të kalosh udhën me to. E kupton se ka ardhur koha të heqësh dorë prej tyre, sepse vijat e bardha për këmbësorë i përngjasin shpinës së një njeriu të lodhur. Shpinës tënde.
Lusija më zuri për dore. M’i qepi sytë pastaj uli kryet. Ajo s’mund të rrijë më këtu, tha, kërkon të kthehet. Back to Beograd. Më lutet ta shpie. E ëma nuk merr vesh. Ndërsa tani ja dhe Sofija. Again. S’është çudi që pas një muaji a dy do ta përzënë edhe Dragon. E frikshme. Diku në Beograd ka të atin. Një ditë Ana i foli për të. Nuk e di me se merret, as si e ka emrin. Është më i ri se ajo. Ndoshta e merr me vete. U afrova ta kapja për supesh, por ajo u tregua me e shpejtë, ma mori dorën dhe e mbështeti në faqe. Papritmas ndjeva një peshë të rëndë, por mbeta ashtu për pak çaste duke vështruar duart tona të ndërliksura.
Shkrepja e aparatit na shtyu më tutje. Kur hodha prapë shikimin Lusija kishte ikur, ndërsa dora ime kish mbetur pezull. Uli ma shtrëngoi duke buzëqeshur. Kish zbuluar një koktejl të përsosur që shërbehej atë mbrëmje në kafenenë Canshmuk: koktejlin Volfgang. Cilin Volfgang e pyeta. Uli ngriti supet duke thirrur kamarierin. Porositi dy gota. I rrëkëllyem sakaq. Sytë e Ulit shikonin tërë gaz gotën. Aktorja kryesore i kish bërë shumë përshtypje. Ajo di si luhet me marioneta. Tani e kuptoi pse Sofija ia “fshehu për një kohë të gjatë”. Do ta intervistojë. Bënë një çikë muhabet atë mbrëmje. Ajo i tregoi se thelbi i zanatit të aktorit qëndron në perceptimin e jetës së të tjerëve. A mund ta perceptojë Perëndimi Lindjen? – po thoshte me vete duke rrëkëllyer gllënjkën e fundit. Mesa duket jo. Ja, për shembull, marrim teatrin. Vetëm tema perëndimore vihen në skenë. Apo jo? Dëshironte të kundërtën, një pjesë nga Lindja të luhej në Perëndim. Mimika përbën problem. Kur një aktor lindor rrudh fytyrën në një skenë londineze kjo shpjegohet si shprehje e dhimbjes. Në të vërtetë autori dëshiron të shprehë dramën e personazhit të tij dhe jo ta tregojë atë të dërrmuar prej dhimbjes. Po gabove në ndjenjat e të tjerëve bëhesh qesharak. Njëlloj si atëherë kur Volfgangu na e solli shpirtin në majë të hundës.
Pranë dritares së madhe Sofija sodit poshtë oborrin e Galerisë Hakesher. Hera – herës thithte cigaren. Nuk po ia kthen kryet Anës e cila përpiqet t’i sqaroje diçka. Kamerieri me përparëse të shkurtër u kalon pranë. Me t’u larguar ky i fundit Ana i afrohet e i pëshpërit në vesh Sofisë. Duket sikur buzët e saj iu puqën në qafë piktores.
Suzi Farka ia dedikoi këngën Këpucët muzikantit Fred Frith. Të dy njiheshin që në vitin ’89 në Zyrih. Frithi e kish thirrur në dokumentarin Shkel kufirin. I duhej dikush të interpretonte një këngë të shkurtër, Këngën e trumcakut. Për fat të keq për arsye të panjohura iu vonua pasaporta. Asokohe një tufë gjërash ndodhnin për faj të vonesës. E pastaj, pa e ditur se si, mplekseshin me njëra – tjetrën. Ajo dhe Fredi këmbenin letra. Më pas u takuan në festivalin e muzikës në Provansë. Fredi mbante një beretë të zezë dhe vinte buzën në gaz sa herë ajo hapte gojën. Suzi e mori për tallje propozimin e Fredit për një shëtitje me biçikletë. Asgjë s’ka marrë fund, ia bëri Fredi tek po kalonin një kthesë, gjithnjë mund të kthehemi në vrasës të prindërve tanë. Sa herë këndon këngën, Suzit i vinë në mendje këto fjalë. Atëherë mbyll sytë, shtrëngon me njërën dorë mikrofonin dhe bën përpara. I duket se zhvendos qendrën e gravitetit njësoj sikur ndërron xhinglat, prej të cilave s’ndahet dot, nëpër xhepa. Po veprove kështu do të kuptojmë sa i thjeshtë është zotërimi i hapësirës. Kjo është tema e këngës Dhoma. Pesha e trupit, këndon Suzi qëndron te rrobat që veshim. Dje rëndoje, ndërsa sot je më i lehtë sepse i le rrënjët në shtëpi; telefonin, orën, letërnjoftimin, çelësat, byzylykun, pasqyrën, unazën...Asgjë s’merr fund, gjithnjë mund të hedhësh shikimin nga rruga.
Me kujtohet se si një poet, i cili e kish zakon të mbante jo beretë, por kasketë prej lëkure mbi flokët e qethur shkurt, zbriti në tokën amerikane. Kur autoritetet e pyetën se përse po emigronte ai tha se në Gjermani e mundonte çështja e hapësirës: Im vëlla qe pilot. Një ditë i vjen një letër pas së cilës ai rrëmbeu menjëherë çantën e ushtarit dhe u nis. Im vëlla është pushtues. Popullit tonë i mungon hapësira, kemi nje dëshirë të papërmbajtur të kemi një vend tonin. Hapësira që pushtoi im vëlla në Siera Guardarama është një metër e tetëdhjetë e gjatë dhe një metër e thellë. Thonë se poeti ia diktoi përgjigjen stenografistes për të cilën, përveç censurës edhe shqiptimi i të huajit përbënte problem.
Sofija i thotë bashkëbisedueses se duhej të iknin. I flihet dhe nesër ka takim në galerinë Tobe për një intervistë pune. Kanë për t’i bërë nga këto pyetje! Hë se ia ka marrë dorën. Ja që në jetë duhet të bësh shumë takime për të gjetur punë. Duket sikur të gjithë kthehen sakaq në yje të medies. Vetëm se kësaj here s’ka të bëjë me ndonjë mashkull. Urren të flasë me meshkuj. Ata gjithnjë bëjnë pyetje të këqija. Shpreson te ruajtësja e muzeumeve, të paktën këtë linte të kuptohej letra që kishte marrë. Mbase gjejmë një perceptim të përbashkët. Si me Anën. Mirëpo Ana është e veçantë. E kupton të shkuarën më mirë se ajo vetë. A nuk është kjo thelbësorja? Gjatë jetës së saj ka jetuar me një burrë vetëm një muaj. U nisën për pushime. Asgjë s’mundi ta çajë murin e ngritur mes tyre. As deti Mesdhe, as dielli, as paratë. Natën i dukej se flinte pranë një kukulle të zhveshur nga çdo fushkësi , peshë, emocion. Jetonte një periudhë të zymtë. Pikturonte tablo njëngjyrëshe. Në njërën kish bërë trupin e një burri në ngjyrë metali. Aty kish përqendruar tërë logjikën e një mashkulli, plakjen, venitjen e shpejtë, të ashtuquajturën forcë, por edhe prirjen për shkatërrim. Ndërsa tani, mëngjeseve, kur Ana e lë në shtrat, meqë ngrihet gjithnjë e para, Sofija e mbyt frikën me mendimin se me të kjo mund të mos përsëritet më. Ky është dallimi.
Oto Froshi më gjeti në mes të turmës. Dukej se i kish ikur humori. Sa herë e njëjta gjë, më tha, e njëjta ndjenjë ankthi pas premierës. Vriste mendjen mos gabonte përsëri. Tani duhej t’i kish mbyllur valixhet dhe të qe nisur. I duket se s’ka më shpresë në Berlin. Është pak çakërrqejf, por beson në atë që ndjen. Kështu do ta kalojë natën, zgjuar. Mëngjesin do ta presë në kafenenë Canshmuk. Më pas do të vijnë punëtorët, kamionët. Do t’i heqin të gjitha e do të nisen për udhë. Muret do të mbeten lakuriq. Më tepër se ankthi e gërryen mungesa e forcës për t’u takuar me aktorët. Me ta s’ka qene ndonjë lojë për qejf. Prova pa fund. Në kundërshtim me parimet, kish zënë miqësi me disa prej tyre. S’ke ç’i bën. Do të donte të qe ndryshe por kështu e ka rregullorja. Ja për shembull Ana. A do të gjejë ai vallë të tillë aktore? Tund kokën. Nganjëherë i vjen t’i shkelë normat që ai vetë ka caktuar. Atëherë, i neveritur prej teatrit të vdekur, lë fjalën përgjysmë dhe bën më tutje. T’i ikësh inercisë nuk është e lehtë. Aty qëndron kleçka. Njerëzit do të riprodhonin pa fund të njëjtën gjë. Mirëpo ja që kjo është e pamundur. Kollitet, kthen kryet dhe mbërthen vështrimin te Suzi. Të lumtë Suzi, briti Froshi ndërsa hapat e mi dukeshin sikur vallëzonin.
Sytë e Ulit u bënë si bajame kur rrëkëlleu edhe një gllënjkë. Kokteji Volfgang më bëri xurxull, po thotë Uli. Ndjen krahët që i varen në dy anët e trupit po as kokën, as këmbët e as stomakun. I përzjeu pijet, koktejle të rënda. I ngjan tani lodrave me formuese. Çdokush mund t’i bashkojë e të bëjë një Uli të ri perëndimor. Jo Uli, Ulfi. Danez për shembull. A do t’ia ndryshonte vallë këndvështrimin e tij mbi botën? Me kë do të përngjasonte ky Ulfi? Vërtet s’do të ketë sy në formë bajame, por ama do të ketë çehre të kthjellët, pak bark e rrudha në fytyrë. Do të bëhet me shtëpi, makinë, familje, punë. Mbi tryezën e punës do të mbajë fotografinë e së shoqes, me siguri ndonjë qukse. Avioni do t’i niset në orën tre të pasdites – udhëtim për çështje që do të diskutohen po atë mbrëmje në një tjetër kontinent. I duhet të vendosë në duhet lejuar apo jo zhbllokimi i fondeve për pastrimin e shtratit të lumenjve në fshatrat në veri të Pakistanit. Që të nesërmen do të njihet me projekte të reja: mbrojtjen e peshqve në Afganistan, rindërtimin e ri infrastrukturës në Moldavi, ndjekjen e kriminelëve në ish – Jugosllavi, fushatën për promoviminin e tregjeve ekologjike në Iran. Kur të kthehet në shtëpi, i rraskapitur prej udhëtimit, do të futet në shtrat. E shoqja do të ndezë dritën me ulërima: pranë saj nuk është shtrirë Ulfi por një lindor me sy në formë bajame.
S’do të kthehemi kurrë nga kemi ardhur, bërtasin motrat Hodiç, Adela duke ia ngulur sytë burrit përballë dhe Dina duke rrëmuar nëpër çantë. Andrallë e vërtetë të përsëritësh të njejtin referen. Ndoshta një ditë dikush do ta shpëtojë nga kjo andrallë: e mirë e dimë këtë. Kërkon të thotë tjetër gjë, po çfarë? I ati u kthye ne vendlindje. Mesa dinin ato rast i vetëm. Ai nuk e duronte dot Berlinin. Kujtimi i Jugosllavisë nuk i ndahej. Atëherë shtrëngoi nofullat dhe u nis. A bëri mirë? Koha do ta tregojë. Adela e quan dështim absolut ndërsa Dina lajthitje. Sidoqoftë u çuditën. Adela vë buzën në gaz: kur qenë fëmijë i ati i çonte në cirk. Kur ktheheshin në shtëpi dhoma e tyre kthehej në arenë të vërtetë. Ajo bënte zbutësin e kafshëve ndërsa e motra palaçon. Vizatonin kafshë nëpër mure, sy të mëdhenj si të luanëve. Nganjëherë për këtë e merr malli, për ata sy nëpër mure.
Ç’të thuash, justifikohet Sofija teksa del nga kafeneja. Arti që kultivohet sot në atë vend të cilin ajo vazhdon ta quajë Jugosllavi nuk i intereson dhe aq. Në pastë rast, lexon nëpër gazeta ose në internet se ç’bëhet me artistët e rinj. I duket se i mungon disi mendimi. Realiteti i Jugosllavisë së sotme thotë Sofija është ai i një dhome ku hapen kufoma. Duhen grumbulluar e shpërthyer të gjitha arteriet e vdekura të së shkuarës. Ka dëgjuar të flitet për një piktore të re, e cila pikturon me këtë shije. Ia ka parë dy prej punimeve. Birjana Durdeviç i thonë. S’e ka idenë se ç’pamje mund të ketë kjo piktorja.
Ana e ndjek me sy Sofijen pastaj kthehet drejt barit dhe lë gotën në banak. Kamarieri fët e fët e zëvendëson me një tjetër mbushur plot. Ana ia kthen me buzëqeshje dhe bën jo me kokë. Bën mënjanë pastaj i bën me shenjë Lusisë, por kjo shtiret sikur s’kupton dhe vazhdon t’ia ngulë sytë Suzit. Je lodhur, i them duke iu qasur pranë. Më pa e habitur sikur s’më kish parë ndonjëherë, pastaj tiparet e fytyrës iu rudhën e iu shtrembëruan prej lodhjes. I dhemb koka, nuk di të thotë nëse e ka fajin muzika, alkoli apo ne gjithë sa jemi. Përpara premierës Froshi u tha se kish ndër mend të largohej. Presioni i ushtruar gjatë shfaqjes bëri që ajo të mendonte se kurrë s’kish parë shfaqje më të keqe. Ai Forshi, topolaku i pabesë, qe tallur paq me të. Teatri i tij qe kthyer në një hiç ashtu si jeta e tij. Kështu i duket asaj episodi i teatrit Shtabpupen. Pse ç’pandeh ai? Se mund të luhet kështu me njerëzit? Vërtet paguhen, por ama edhe kjo mënyrë trajtimi. Kjo s’është dëgjuar ndonjëherë. Edhe Grotovski sillej më mirë me aktorët...Heshtje. Është e vendosur, ia nisi prapë Ana, do ta duroj, dhe dëshiron të më tregojë se ç’më ngjau me Balltikun. E pyes se nga e di. Më kap për krahu, kërkon me sy Froshin. Nuk e gjen, më shtyn drejt daljes. Do ta shohësh, më thotë fshehurazi: këtë mbrëmje shfaqje e re e Shtabpupen në Berlin.
Teksa linim pas kafenenë dëgjoja ende zërin e Suzit. Kënga titullohet Kufiri. Mes trupit dhe sendeve, këndon Suzi ka një kufi. E kapërcen e pastaj kujtohesh se dikush ka harruar çadrën në hyrje. Kur vjen bie shi. Kur nisesh lajmet të mbytnin me premtime boshe. Mos iu afro sendeve, përndryshe do ta kuptosh se ato s’mbartin gjë tjetër veçse shenjat e fajësisë tënde.
Përktheu
Adriana Koxha
|