Me tirqe të bardhë malet u veshën,
gajtanë të zinj përrenjtë shuhen luginave,
tek-tuk mjegullat të pezullta mbetën,
si në furka copëra të leshta të shtëllungave.
Era për një çast harroi shungullimat,
qetësi borëtore, e virgjër, paanë,
bardhësinë në muajt e nusërisë së gjatë,
qafat, si shaje dimërore mbajnë.
Herë si nuse, herë si dhëndurë të menduar,
të një dasme kreshnike duken nga larg,
unë shkoj drejt tyre pa harruar,
oriz mirësie t’u hedh në prag.
|