Përtej kujtimit, kujtesa çjerr
Ethet dhe lotin tënd që vret,
dhe vragat e tua
dhe hojet e buta
dhe aromën tënde – qumësht.
Engjëll, gjak trëndafilash,
angushti dhe përgjumje dhe rënkim...
Lëkura jote s’ishte më e ngrohtë.
I putha ata gishtërinj
dhe i mora brenda meje, në përtejjetë.
E pamundur mrekullia jonë
në bulevardet me pluhur,
e pamundur shenjtëria jonë
në kishat me baltë.
Në dhomë mbeta vetëm me veten.
Ti ishe nën lëkurën time,
nën qepallat e mia
dhe brenda buzëve të mia.
(Oh, tjetër s’kam për të shijuar!)
Dikur melodia na përthithte gjokset,
tani kujtimet i gërvisht
deri në përgjakje.
çdo fytytrë kalimtare është,
dhe e përjetshme,
cingërisëse,
nevrastenike
si nëntori kur çmend erërat,
si vranësira,
si dielli i fortë.
Ja ku jam në pritje të asgjësë...
Oh, ofshama jote frymën ma përgjaku
dhe mëngjesin tim dhe mesditën
dhe mesnatën përdëllimtare dhe mesnatën e frikshme
dhe ngjyrat e guximshme m’i tmerroi.
Qiejt e rrahur nga krahët e tu,
shpend i egër e i çmendur,
u harlisën, u marrosën
ty të mashtruan, ty të mallkuan
dhe të përpinë të gjallë shtrojave pa fund.
Ty, krijesë e kaltër dhe e dëshpëruar,
në përpjekje për të të harruar,
për të të lënë në helmin dhe në pezmin tënd,
në trupat e hijeve të përdala që depërton,
jam lënduar për vdekje.
Dhe Zotin dhe djallin kam dëshmitar
Sa jam dërrmuar, sa jam vrarë.
Dhe ti tërheq zvarrë shpirtin e ditëve të mia mavi
Drejt gremisë së heshtur
që projektoi dhembja jote.
Më therr në zemër gulçi yt.
Gulçi yt pa frymë më lë kur mendoj
se si krejt befas,
si zog pa çerdhe,
hutuar dhe ngjethshëm,
emrin tim do të cicërish,
emrin do të këlthasësh
duke i rënë në të se s’mund të shfaqem sërish aty
si në ëndrrat e tua të hershme.
Atëherë,
duke u ngjirur së thirruri,
më në fund do të kesh kuptuar,
se isha unë, pikërisht unë,
që ferrin tënd përkëdhela
me lotë të bukur egërsirash,
dikur,
në një stinë të largët dhe të afërt,
që s’mund të na përkiste pambarim.
|