Header image  
Edicioni 4 Durrës 22 - 28 shtator 2008  
  
 
 
 
 

 
 

VEGIMI

Ermir Nika

I lashë shkrimet e vjetra të sofistëve dhe amforat e pazbuluara,
nga pas më ndjekin sytë kuriozë të fëmijëve
në makinën e mbyllur jashtë qytetit.
Në pantallonat e zhubrosura kanë mbetur format e gjunjëve
dhe shija e pluhurit të rrugës kërcet ndër dhëmbë. 

Tymosim simetrikisht në jetën e mbyllur periferike,
baballarët na lanë trashëgim dashurinë për gratë
dhe armët e fshehura bodrumeve.
Këtu ka vetëm kujtesë, gjurmë të vdekura karvanesh, 
rapsodë dhe poezi të shpërndarë nëpër motele. 
Të vjetrit këqyrin femrat, ikjet e vona,
mëkatet e përsëritura dhe liturgjinë e së dielës.

Çapitem viseve ku fshihet e panjohura lakuriqe
dhe pamje ekzotike më veshin sytë e perënduar.

Një grua u tremb prej vështrimit tim kërkues
dhe fshehu fytyrën majoshe anëve të peliçes.
Kurtizania e përjetëshme thithte mjaullimën
lëshuar në buzët e çjerra nga puthjet pariziene.

Nuk di në isha cigarja e harruar në një shtëpi boshe
apo këmisha e hedhur pakujdes mbi dysheme,
puhisen hapat në ikje, psherëtimat në qiell
vështrimet befas ngatërrohen si këmbë lakuriqe
nën batanijen e shthurrur të vjeshtës.

Sërish një muzg i thyer
dhe fotografia e arnuar në xhep sërish,
ndoshta mendonte së për të isha një dashuri e ikur,
si boja e vjetër në peizazhin e zbardhur nga shirat.

Por jo, isha vetëm një kalimtar i zakonshëm
një fytyrë e përkohshme
që rastësia padashur na kryqëzoi udhët.

Rënoja monumentesh

U thye edhe relikja jonë e fundit
mbi shtylla altarësh të pluhurosur,
nëpër fllade e gumëzhima njerëzore,
u tret në erë si një lamtumirë.
Koha mbuloi edhe gjurmën tonë të fundit,
me fije bari veshi fytyrat tona të vrazhda, të përgjumura.
Dhe ti, o shtegtar, që endesh i pashpresë nëpër botë,
mos u mundo më kot t’i gjesh gjurmët Adamit
në rrënoja qytetesh të braktisur.
Ndoshta dikush tjetër do të kalojë pas hapave të tu,
duke shkelur padashur mbi varret tanë jetimë,
që dhembshurisht mbi një kafkë endin kujtesën.
Dikur, një bari i lodhur do të delirojë kthimin,
lirën e fshehur në lagështirën e ftohtë brejtëse,
ku gjenden relike eshtrash të përdhosura,
nën hije kryqesh të mbuluara, të thyera, të harruara.

1998

Rrugnaja ndër alpe

Mjegulla mbuloi rrugnajën e fshehur ndër alpe,
si një vello e bardhë, mbështjell ngadalë kurmin e kodrinës,
fryma e flladit të lehtë mëngjesor
risjell tingujt e një romance të harruar,
diku, nën një portret të murosur vajzërie, Izabelë.

Atje tej, ndën alpe,
gjenden fosile bizhush të veshura me brymë, Izabelë.
Rrugnaja e heshtur
gjallon nga fëshfërima të buta gjethesh,
kalimtarët mbulojnë gjurmë të vogla hapash,
aroma dehëse parfumesh, Izabelë.

Ndoshta ti, statujë e përgjysmuar nga koha,
lundron nëpër thellësitë e hapësirave shekullore,
si trupi i një varke të braktisur,
në ujërat e ëmbël të liqenit jetësor, Izabelë.

Tashmë bari do të ketë mbirë,
edhe mbi luginën tonë të zhveshur.
Përfytyroj mëngjeset sërish tek lindin
prej buzëqeshjes sate të njomë,
ndërsa mbrëmjet zbresin ftohtë,
mbi një shpirt të trishtë gruaje, Izabelë.

1999

Përjetësisht

Përjetësisht rikthehem tek ti,
përjetësisht përsërit me vete :
Ti je dashuria ime e patjetërsuar,
muzë e nënshtruar pasionesh të virgjra.

Rrugëtojmë mbi imazhe të brejtura qeramikash
e në çdo rikthim hijet e djeshme humbasin pafajësisht,
profile të zbehta martirësh në akte sublime
dhe drerë të plagosur në përpjekjet për shpëtim.

Mos harro, jeta është si një film i papërfunduar,
në çdo episod ka fitimtarë e të humbur,
njerëz nën maskë, dashuri dhe vdekje të shtira,
në mbarim, skenës në kinemanë e vjetër
s’do t’i mbetet asgjë nga historia e radhës.

Përtej fshihet një kaltërsi e frikshme,
e panjohura na tremb e ne përthyhemi në çdo rrudhë,
ëndrra të verbrish do të plazmohen në thurrjen e papirusit,
kur jetët tona të shihen si një trill të lajthiturish.

Njëtrajtësohemi rishtaz si akrepat e orës së fundit,
në këtë jetë çdo gjë qenka kalimtare,
lundra përtej bregut s’është veçse një qenie e plakur
që s’do të na e njohë dot kurrë më kthimin.

2003

Epilogu

Vela e fundit ra, e peshkatarët iu rikthyen bregut,
shoh klisedrën të përmbyset si mërmërimë,
altari na vidhet me dremitje të lodhurish,
mbi fytyrën e plasaritur nga kripa.
Në të kaluarën s’dinim se dikur e para dashuri
do të na shkërmoqej ndër duar
kur e nesërmja të mos na zgjonte dot më.
Errësirë…i vetmi far fytyra jote,
shprishur në pikëzën e këputur të lotit
e dhembja në dilemën e saj spraps durimin.
Droja nuk bëzan dhe ikja e trupave na trondit,
të tjerët vijnë me të njëjtin hap si statueta
drejt vendit ku varrmihësit gërmuan heshtjen tonë.
Silueta polare në ritualin e përshpirtshëm dihasin,
e hijet tona aviten përreth.

2003


 
 

 
 
Pjesmarrësit