Header image  
Edicioni 5 Durrës 21 - 27 shtator 2009  
  
 
 
 
 

 
 
Ali Podrimja

Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie.

Ali Podrimja (1942) lindi  dhe u rrit në Gjakovë. Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jeton aktualisht. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën "Jeta e Re". Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.
Në vitet '80 e '90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).
Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t'u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t'i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë. Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë. Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.


Bukuria

Zgjata dorën në livadh lulen me këputë

“Mos – fqinji im i dashur më bërtiti –
do të vyshket!
unë qava për saksinë time të thatë.

qita hapin, kalin e bardhë me mbërri –
vashën e ëndërruar kaherë
“Mos! – përsëri m’u gjegj fqinji
unë qava me mall edhe atëherë.

hodha dorën në gjithësi me pikëllim –
çel e mshel sytë dritë m’u bë.

“I lumi ti!” – dikush më bërtiti në përqafim
e kurrgjë tjetër s’pashë as ndjeva më.

sot e atë ditë kudo e kërkoj fqinjin tim të mirë

(1960)

FLAKA E VJEDHUR

Si e kafshoi gjarpri?

e Luanit i tha: hesht!
Luani ra në gjunj para shpatës së tij

një mot thanë: kahmot s’kemi parë
një shafqje kaq të çuditshme në cirkun tonë

po vallë si e kafshoi gjarpri?

në qytetin tonë tregojnë tash fëmijët
se Ai shkoi të sjellë flakën
që një ditë me shi ia vodhën njerëzit

e si e kafshoi gjarpri?

Luanit i tha: hesht!
e Luani ra në gjunj para syve të tij t’errët

Nje i vdekur i zakonshem

Një i vdekur i zakonshëm
në këmbë mban një shtet
Vrapon shkallëve thyen dritare
Mbledh dhe pikën e fundit të ujit
Mbi tryezë bie galuc
nën dritën e llambës
Një i vdekur i zakonshëm
Dhunues e vrasës bezdisës
I ndjekur e i vrarë vazhdimisht
Shpallet publikisht prishës rendi
Në ballkonin e hapur kah qielli
Një vashë e lakuriquar
Ngacmon moralin qytetar
Livadhit Delja shëtit Njeriun
I lumtur se jeton thotë
i Gjithëpushtetshmi
Një i vdekur i zakonshëm

(2000)

Leximi i vetmisë së shtëpisë

Troket dikush
ka kohë që troket
në shtëpinë e vetmisë sime

Hap derën dhe humb
në zbraztësi

Dëgjoj hapat shkallëve
kollitjet e shtjerra

Ndjej ftohtësinë si më mbështjell
të strukur në cep të dhomës

Përmes vrimës së çelësit përcjell
Rënien e yllit në Kodër të Qyqes

Mos është syri i Katallanit
Shkallëve të vetmisë na vështron

Apo për mure grithje të tmerrshme
të thonjve të një populli

Ekzekutojnë muzikë mortale
Ka kohë që vetminë e shtëpisë
në lëkurën time e lexoj

(2006)

Miti i Kosoves

I. Kadaresë

pasi e kishte lëshuar zogun e zi nga kafazi
vasko popa shkroi poezinë më të fortë thanë
se tërë krijuesit sllavë

ajo që frymonte në fjalë në vargje në libra
ajo që hijonte në legjenda në magjizezën
bënin sfidë, se ulërinte ujku

lexuesi Mitin e Kosovës e kuptoi prandaj
si e ndiente në të vërtetë
dhe si e shihte në pasqyren e së nesërmes

u desht kohë e gjatë të shkundullojë mali
e të shpaloset fjalë e grisur
mbi betejën e askujt

dhe rastësisht krejt rastësisht u shfaq Kadareja
në roze veshur përderisa kthente nga një shëti
nëpër kohë të errëta e plot nerva popujsh

(1980)

 

 


 
 

 
 
Pjesmarrësit