|
Ashtu si në takimet e mëparshme, edhe në takimet e planifikuara në festival do të promovohet muzika shqiptare e Aleksandër Peçit, Feim Ibrahimit, Vaso Toles, Isopolifonia e Bregut si dhe e muzikantëve të huaj si Djivan Gasparyan.
Gjithashtu për çdo takim do të shijohen me anë të somelierëve të POETEKA-s verërat e 5 Kantinave (Gjergj Kastrioti - Durrës, - 3 produkte: Merlot, shesh i ZI, Riesling, Enisa - Sukth - Kabërbet, Dalipi - Prishtë, SERINË - Skrapar, Ardenica - Lushnjë, Çobo - Berat - Trebiano), me 7
produkte të verës lokale.
Performancat poetike të Festivalit do të zhvillohen në formate duete, trio dhe kuarte poetike pranë:
• Amfiteatrit të Durrësit, Torrës veneciane, Portave dhe kullave të murit bizantin, Termave romake
• Rotondës, Hamamit (banjat turke), Fari i Durrësit, Muzeut etnografik, Teatrit “Aleksandër Moisiu”,
• Galeria e arteve pamore JOZEF, anije të ankoruara në mol, Liceu i qytetit, Bibliotekë etj përfshi këtu edhe shëtitjet peripatetike përgjatë bregut të detit gjë që do të rrisë vëmendjen e njerëzve rreth vlerave që ofron Durrësi dhe Shqipëria përmes artit dhe historisë së saj, por edhe do të gjallërojë jetën kulturore të qytetit pasi çdo mbrëmje në sheshet dhe shëtitoren e bregdetit do të organizohen panaire e bankarela me produktet tradicionale të pijes dhe ushqimeve që ofron kjo zonë si dhe me tregje të hapura suveniresh.
Çdo ditë do të ketë një seancë prezantimi solo të quajtur SPIRITIZËM prej 30 minutash për secilën kulturë pjesëmarrëse në Festival, ku përmblidhen poezia, muzika, traditat dhe informacion mbi kulturën e këtyre vendeve për ta kthyer në ngjarje dhe pikë kontakti me përfaqësuesin e këtyre kulturave.
Shqipëria do të ketë nderin të paraqesë në një seancë traditën e poezisë dhe artit oral të improvizuar, poezisë së bejtes - në formatin dramitik (poezia e bregut të detit) dhe formatin gazmor (tradita shkodrane e bejtes) shoqëruar kjo edhe me muzikë polifonike, instrumentale dhe pije të kantinave.
Për kanaqësinë e pjesëmarrësve të shquar dhe të publikut, pjesë e menusë së përditshme do të jetë edhe një nga gatesat e parapëlqyera të shkrimtarëve të famshëm si pjata e zgjedhur e Dantes, e Boccaccio-s, Hemingway-t, vera e Servantes-it, vera e Petra Markos, akia e Agollit, hajet e preferuara të poetëve dhe shkrimtarëve shqiparë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli.
Veprimtaria do të kombinohet edhe me koncerte të mjeshtrave botërorë të interpretimit muzikor si Alexander Brussilovski- violine - Francë, Vladimir Vinnicki- piano - USA, Leonid Gorokhov- cello - Angli.
Ndërmjet performancave poetike të ftuarit do të kenë kënaqësinë të shijojnë koktejlet poetike dhe verë lokale, pije të lehta dhe pije joalkoloke. Gjithashtu gjithë të ftuarit do të kenë si dhuratë mikpritjeje edhe 3 simbolet e qytetit, një shishe verë, një shishe vaj ulliri dhe një enë me kripë.
|